VIDEO / Vazhdon spektakli i Çekiçit, vjen goli i 6 në 9 ndeshje me nënkampionët!

Endri Çekiçi nuk di të ndalet dhe brenda pak javësh është kthyer në futbollistin kryesor të fazës ofensive të Olimpija Ljubljanës. Mesfushori ofensiv pogradecar po kalon një formë të shkëlqyer sa i përket fazës realizuese dhe ndeshjen e parafundit të kampionatit ku skuadra e tij u përball me Mura, ai gjeti përsëri rrjetën duke i dhënë suksesin skuadrës.

Titullar si zakonisht në muajt e fundit, Çekiçi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 59-të të sfidës, duke realizuar golin e vetëm të ndeshjes për t’i dhënë tre pikë skuadrës së tij e cila ka siguruar vendin dytë në kampionat dhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës në verë.

Për Çekiçin, ky ishte goli i 6 në 9 ndeshje të luajtura me këtë skuadër, një bilanc jashtëzakonisht i mirë duke menduar se ndeshja e tij e parë zyrtare me ekipin ka qenë vetëm në mars. Këto 6 gola janë shënuar në 6 ndeshjet e fundit me Olimpija Ljubljanën duke e bërë një nga futbollistët më në formë të kampionatit slloven e padyshim një element për t’u marrë në konsideratë edhe nga përfaqësuesja shqiptare e futbollit. /vipsport.al/