VIDEO/ U ndëshkua me të kuq, trajneri i Bares: Keidi edhe pse nuk ishte në fushë na motivoi të gjithëve

Ndeshja e djeshme e Malagës pavarësisht fitores 3-0 ndaj Oviedos, u zbeh nga dalja me karton të kuq të Keidi Bares. Për mesfushorin ishte kartoni i dytë i kuq në tre muaj. Bare njihet për lojën e tij agresive, megjithatë këtë herë ishte i pafat  teksa ndërhyrja ishte e paqëllimshme.

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë në përpjekje për të stopuar topin, nuk vuri re kundërshtarin dhe në këtë formë e goditi në mënyrë të pavullnetshme. Në të njëjtën linjë ishte dhe trajneri i Malagës, Viktor Sançez i cili u shpreh se ishte një karton i rastësishëm, teksa nuk e pa kundërshtarin, ndërsa shtoi se në dhomat e zhveshjes Bare motivoi ekipin.

“Imagjinojeni zhgënjimin e tij, ishte një ndërhyrje pa qëllim, e rastësishme. Nuk e pa kundërshtarin dhe më pas e kuptoi dëmin që i kishte shkaktuar skuadrës, por ekipi e mbrojti Keidin. Kemi folur gjatë pushimit të pjesës së parë. Kishim një lojtar tonin i cili u largua me lot në sy dhe ne duhet ta inkurajonim. Ai nuk mund të na ndihmonte në fushë por ai i motivoi shokët e tij dhe na motivoi ne të gjithëve. Edhe pse nuk ishte në lojë na ndihmoi”, tha trajneri. Keidi Bare ka qenë një titullar i rregullt i ekipit pas ardhjes në krye të trajnerit Viktor Sançez.

/EgiCabeli-VipSport.al/