VIDEO / Trajneri në Danimarkë akuzon lojtarët e tij për trukim, klubi e pezullon

Ka edhe kështu! Një trajner në Danimarkë është pezulluar nga klubi pasi ka akuzuar lojtarët e vet se kanë trukuar një ndeshje futbolli. Ngjarja e çuditshme ka ndodhur në klubin e FC Roskilde, ku trajneri Kristian Lonstrup është pezulluar deri në fund të sezonit nga vetë klubi pasi lëshoi akuza të çuditshme pas humbjes 2-1 të ekipit të tij ndaj Lyngbi.

Në një mbledhje të zhvilluar të hënën në ambientet e klubit, ai akuzoi lojtarët se kishin trukuar sfidën, duke pësuar 2 gola në minutat e fundit (80’ dhe 91’). Roskilde rrezikon rënien nga kategoria, ndërsa Lyngbi është ende në garë për ngjitjen në dy javët e fundit që kanë mbetur.

Në këtë situatë, klubi deklaroi se kishte nisur hetim të brendshëm, ashtu si edhe Federata Daneze e cila është shqetësuar për këtë ngjarje. Por ndërkohë, klub doli me deklaratë ku cilësoi të papranueshme shprehjet e trajnerit Lonstrup, sidomos për faktin që për momentin nuk kishte asnjë provë konkrete që t’i vërtetonte.

Ndaj ishte vendosur që ai të pezullohej deri në fund të sezonit dhe të mos drejtonte ekipin, ndërsa do të vazhdonin hetimet për të dhe aludimet e tij. /vipsport.al/