VIDEO / Supergol për të thyer mallkimin e vitit 2019, Manaj: Tani dua të dëgjoj stadiumin të këndojë

Rei Manaj më në fund ka thyer mallkimin e tij para portës në vitin 2019, duke gjetur golin e parë për këtë vit në kampionat. Ai ka ardhur në momentin e duhur, pasi ndihmoi Albaseten të fitonte ndaj Rajo Majahonda dhe të kthehej në garë për vendin e dytë në La Liga 2, që të çon direkt në elitën e futbollit spanjoll.

“Jam i lumtur për ndeshjen, që u ktheva të shënoj, por mbi të gjitha për fitoren. Pësuam një rënie në pjesën e dytë por është normale pasi shkon 0-3. Tani duhet të mendojmë për të hënën që të marrim vendin e dytë në kampionat. Duhet të tregojmë diferencën në fushë, duhet të tregojmë që Albasete lufton për ngjitjen“, tha Manaj, i cili mund të jetë titullar edhe në ndeshjen e ardhshme, atë vendimtare kundër Granadës së vendit të dytë.

Ajo është pikërisht ish-skuadra e sulmuesit shqiptar, i cili insiston se nuk ka asgjë për t’u hakmarrë në duelin e radhës ndaj ekipit që nuk i rinovoi kontratën në verë. “Nuk kam pse hakmerrem, janë gjëra që ndodhin. Të hënën dua një stadium plot, që të këndojë nga minuta e parë deri në të fundit dhe të gjithë lojtarët duhet të japim 150%”, tha Manaj para mediave në përfundim të ndeshjes. /vipsport.al/