VIDEO / Skënderbeu po ia ndjen mungesën, goli i fitores së Kalmar mban firmën e Alitit

Fidan Alitit i është dashur shumë pak kohë për t’u përshtatur me kampionatin suedez të futbollit dhe për t’u bërë protagonist me fanellën e Kalmar, duke ndihmuar në javët e para të sezonit skuadrën e tij që të sigurojë rezultate pozitive. I tillë është edhe suksesi i sotëm 1-0 ndaj Helsingborg, që sheh Alitin si protagonist kryesor.

Mbrojtësi i cili u largua nga Skënderbeu në fillimin e këtij viti, u tregua i aftë të lexonte situatën në një goditje nga këndi në minutën e 86-të të ndeshjes. Ai me qetësi uli topin me kokë për Elm në qendër të zonës dhe ky i fundit e kishte shumë të thjeshtë të dërgonte topin në rrjetë duke shënuar golin e fitores 1-0 kur mbeteshin pak minuta deri në fund të ndeshjes.

Pas golit të javës së kaluar për Alitin, vjen edhe ky asist, i cili e konfirmon si një prej lojtarëve më në formë te Kalmar dhe e bën mbrojtësin e përfaqësueses së Kosovës si një nga elementët për t’u ndjekur në kampionatin suedez në këtë edicion. /vipsport.al/