VIDEO / Sherr, përmbysje dhe supergol. Gallatasaraj i merr nga duart titullin ekipit të Erdogan

Skuadra e Gallatasarajit është shpallur sot kampione e Turqisë pas një “finaleje” të mirëfilltë kundër Istanbul Bashakshehir me të cilin ndante vendin e parë në renditje me pikë të barabarta. Ekipi i drejtuar nga Fatih Terim ka fituar me përmbysje me shifrat 2-1 dhe ka siguruar kështu titullin kampion përballë skuadrës të cilën pakkush në Turqi dëshironte ta shihte në fron, pasi është ekipi i preferuar nga Erdogan dhe financohet nga qeveria turke.

Bashakshehir, që kishte kryesuar pjesën më të madhe të kampionatit, e nisi këtë ndeshje mirë duke gjetur i pari golin me anë të Bajiç. Një gol i cili prodhoi edhe tension pasi në festimet e tij, Emre dërgoi topin në tribuna dhe tifozët e Gallatasarajit u përgjigjën duke gjuajtur në fushë me sende të forta vazhdimisht e duke goditur lojtarët kundërshtarë.

Sherr kishte edhe në pankina, me përplasje të vazhdueshme mes palëve aq sa në një moment edhe Adebajor përfundoi në tokë i shtyrë nga rivalët.

Në fillimin e pjesës së dytë erdhi edhe reagimi i Gallatasarajit, me Feghuli i cili barazoi shifrat me një gol me roveshatë. Më pas, Oniekuru shënoi golin e rezultatit 2-1 për Gallatasarajin që rezistoi deri në fund të sfidës dhe shpalli kampione këtë skuadër një javë para fundit të kampionatit. /vipsport.al/