VIDEO/ Përçarje dhe turpërim në shtëpi, Real Madridin e ndëshkon një “ish”

Real Madridi ka zhvilluar sot takimin e fundit të kampionatit për sezonin 2018-2019 duke i dhënë fund në këtë mënyrë një sezoni të dështuar duke mos fituar asnjë trofe. Skuadra madrilene që këtë vit ka trajnerin e tretë, është mundur në shtëpi edhe në javën e fundit duke u dorëzuar përballë Betisit me rezultatin 0-2.

Trajneri Zinedin Zidan kishte menduar të bënte disa ndryshime në këtë takim duke lënë në stol yjet e ekipit si Kros, Bejl, Asensio, Isko e Kortua ndërkohë që u ka dhënë më shumë hapësirë futbollistëve të rinj të cilët nuk kanë arritur të tregojnë vlerat e tyre. Pjesa e parë e takimit është mbyllur në barazim pa gola ndërkohë që në të dytën ka ndryshuar gjithçka.

Në minutën e 61, Loren ka kaluar skuadrën e tij në avantazh duke çuar topin në rrjetë pas një asisti perfekt të dhënë nga Guardado, ndërkohë që pak minuta më vonë, Betis ka dyfishuar në 0-2 me anë të Jese Rodrigez i cili ka dhënë një shuplakë ish-skuadrës së tij. Reali e mbyll kampionatin në vendin e tretë, ndërkohë që Betis në vendin e dhjetë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/