VIDEO / Për pak e mori në qafë Muriqi, Gallatasaraj fiton pas 102 minutash me dy gola në shtesë

Vedat Muriqi vazhdon të jetë protagonist absolut i skuadrës së Rizespor në Turqi dhe nuk është aspak çudi që të gjithë po ndjekin me vëmendje sulmuesin e Kosovës i cili po shënon me rregullsi mbresëlënëse edhe ndaj emrave të mëdhenj të futbollit turk. Sot, goli i tij për pak sa nuk ka vendosur vendosur luftën për titullin kampion në Turqi, pasi erdhi përballë kryesuesve të Gallatasarajit që luftojnë pikë për pikë me Istanbul Bashakshehirin.

Në ndeshjen e luajtur në fushën e Rizespor, miqtë kaluan në avantazh me Feghuli dhe më pas humbën një penallti me Dianje. Para fundit të pjesës së parë, protagonist u bë Muriqi, i cili me një lëvizje të shpejt gjeti hapësirën për të gjuajtur dhe me një goditje diagonale dërgoi sferën në rrjetë, duke barazuar shfirat.

Rizespor mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Samudio për një ndërhyrje të rëndë që solli dëmtimin e Çelik. Por kur pritej goli i Gallatasarajit, erdhi ai i vendasve me Umar i cili tronditi shpresat e skuadrës së Terim për titullin.

Gjithsesi, falë ndalesave të shumta të lojës, u dhanë 12 minuat shtesë në këtë sfidë dhe aty ishte Gallatasaraj që bëri diferencën me anë të Dianje, i cili shënoi në minutat 91 dhe 96, për të siguruar një fitore shumë të rëndësishme 3-2 për të mbajtur ekipin në vendin e parë në renditje, një javë para sfidës direkte me Bashakshehir. /vipsport.al/