VIDEO / Partizani i pakalueshëm edhe në ndeshjen e festës, Kukësi mbetet i dyti

Partizani nuk gabon as në ndeshjen e festës duke barazuar 1-1 me skuadrën që i kishte ndjekur më afër në luftën për titullin kampion, Kukësin. Në një ndeshje e cila ishte menduar më shumë si festë, të kuqtë nuk janë dorëzuar edhe kur janë gjendur në disavantazh, duke kërkuar e gjetur golin që të dilnin të pamposhtur nga kjo sfidë.

Pjesa e parë nuk ishte e një ritmi të lartë pasi skuadrat luajtën  shumë ngadalë. Por e dyta filloi me golin e  bukur të Rexhinaldos që i dha avantazhin Kukësit. Partizani nuk u dorëzua por iu afrua disa herë rrjetës derisa e gjeti barazimin me Çinarin, duke regjistruar një rezultat që e mban atë të pamposhtur përballë rivalit kryesor në këtë edicion.

Kukësi mbetet në vendin e dytë dhe nuk e ka ende të sigurt këtë pozicion në fund të Superiores.

MINUTË PAS MINUTE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me barazimin 1-1.

90’+2’ Partizani e mbyll ndeshjen me 10 lojtarë pasi Kalari nuk mund të vazhdojë më.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

89’ Mala dhe Kalari janë të dëmtuar dhe kërkojnë ndihmën stafit mjekësor, ndërsa Gjoka udhëzon skuadrën që të kërkojë me ngulm golin në këto minuta.

84’ GOOOL Partizani, shënon Çinari. Insistojnë të kuqtë që vjedhin topin në gjysmëfushën kundërshtare. Asani provon por ndalet nga Frashëri, Çinari ndjek aksionin dhe pasi shmang një mbrojtës dërgon sferën në rrjetë.

75’ Pas një goditje nga këndi, topi shkon te Duka i cili me forcë provon të kalojë Frashërin. Ky i fundit reagon mjaft mirë dhe largon sferën.

74’ Et’hemi gjen hapësirën për të rrezikuan portën pas një kundërzbritje të shpejtë të Shkurtajt në të majtën, gjuajtja e tij devijohet nga një mbrojtës dhe përfundon ën duart e Hoxhës.

74’ Top i gjatë në të djathtën që kontrollohet mirë nga Mala, por pasimi i tij në qendër për Çinarin gjen në kundërkohë shokun e skuadrës.

72’ Edhe Gjoka bën ndryshe me aktivizimin e Dzaria dhe Çyrbja në vend të Limajt e Kordeiros.

70’ Gega kryen brenda pak minutash tre zëvendësimet duke larguar Ibrahimin, Telushin e Trashin, për të aktivizuar Çinarin, Koten e Kalarin.

59’ Shtylla shpëton Partizanin nga goli i dytë. Kordeiro lëshon një gjuajtje të befasishme nga e djathta, topi kalon Hoxhën por ndalet nga shtylla e portës.

59’ Duka driblon tre kundërshtarë dhe futet në zonën e Kukësit ku rrezohet pas një kontakti në zonë. Asgjë për gjyqtarin Hamiti.

58’ Kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë Limaj nga ana tjetër. Duke fluturuar sferën shumë lart mbi traversën e Hoxhës.

57’ Telushi e tepron paksa me një gjuajtje nga 35 metra që nuk i afrohet katërkëndorit të Frashërit.

50’ Mundohet të reagojë Partizani e të dalë para në kërkim të barazimit, por Kukësi është i rreshtuar mirë në prapavijë dhe nuk lë hapësira për të rrezikuar.

46’ GOOOL Kukësi, shënon Rexhinaldo. Aksion i shpejtë i Kukësit me Shkurtajn i cili gjen Kordeiron në të djathtë. Ky i fundit  me një harkim të saktë dërgon topin te Rexhinaldo, i cili gjuan me kokë në mënyrë perfekte dhe çon sferën në rrjetë.

46’ Fillon pjesa e dytë.

45’+1’ Mbyllet pa gola pjesa e parë e sfidës.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

45’ Goditje dënimi në të djathtën e sulmit të Kukësit. Verilindorët ekzekutojnë një skemë me Ramën që pason për Shkurtajn. Gjuajtja e tij përfundon jashtë katërkëndorit.

40’ Aksion i shpejtë i Partizanit me Malën që provon një goditje nga jashtë zonës, tentativa është shumë e dobët dhe përfundon lehtësisht në duart e Frashërit.

38’ Aksion i shkëlqyer i Ramës dhe harkim perfekt në zonë nga e djathta për Rexhinaldon, Belica reagon në kohë duke larguar sferën para sulmuesit të Kukësit.

29’ Aksion i rrezikshëm i Ramës në krahun e majtë, topi shkon te Rrumbullaku i cili gjuan por sfera bllokohet nga një mbrojtës e më pas përfundon te Rexhinaldo i cili fiton faull në kufirin e zonës. Goditja ekzekutohet nga Cuculi, por mbrojtësi nuk arrin të kalojë barrierën e të kuqve.

22’ Telushi provon një herë të djathtën e tij nga distanca, topi shkon larg katërkëndorit të Frashërit.

21’ Presing i lartë i Kukësit në këto momente, duke mos lejuar Partizanin që të dalë gradualisht përpara dhe detyruar Alban Hoxhën e prapavijën e të kuqve të largojnë sferën nga zona.

16’ Iniciativë e mirë e Asanit i cili nxjerr topin për Mensah, një ndërhyrje vendimtare e prapavijës së Kukësit eviton gjuajtjen në portë.

14’ Goditja e këndit e radhës që harkohet nga Trashi në zonë, Asani harkon më kufirin e zonës me të majtën, por nuk gjen katërkëndorin e Frashërit.

12’ Telushi është vendimtar në ndërhyrjen e tij ndaj Kordeiros në mesfushë duke bllokuar një kundërsulm të rrezikshëm në epërsi numerike të Kukësit.

9’ Përpiqet të reagojë edhe Kukësi me  anë të një kombinimi në krahun e djathtë mes Rexhinaldos e Kordeiros, por askush nuk gjen hapësirën për të gjuajtur në portë.

3’ Goditje nga këndi e Trashit, gjuajtja drejt portës bllokohet nga mbrojtja e Kukësit që mundohet të niset me një kundërsulm të Kordeiros, por nuk ia del pasi tentativa bllokohet në mesfushë.

1’ Fillon ndeshja në kryeqytet.

Partizani-Kukësi 1-1
84′ Çinari / 46′ Rexhinaldo

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Hila, Duka,  Asani, Mala, Mensah.
Trajner: Skënder Gega

Kukësi: Frashëri, Ethemi, Teqja, Cuculi, Rrumbullaku, Uilliam, Musolli, Limaj, Rama, Rexhinaldo, Shkurtaj
Trajner: Ernest Gjoka

KV: Atanda /Rrumbullaku

Gjyqtar: Eldorian Hamiti