VIDEO / Ndeshja e fundit e sezonit, Guri titullar dhe shënon gol

Sindri Guri mbyll me gol këtë sezon të tij të parë shumë të komplikuar në Belgjikë. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka përjetuar një vit jo në lartësinë e duhur në radhët e Ostende, por të paktën ka arritur ta mbyllë me një sinjal pozitiv për të, duke gjetur rrugën e rrjetës në ndeshjen e fundit të sezonit.

Në ndeshjen kundër St. Truiden, sulmuesi shqiptar i cili niste ndeshjen si titullar në qendër të repartit të avancuar, tregoi të gjithë aftësitë e tij para portës duke shfrytëzuar një pasim perfekt për të shënuar golin e avanatzhit për skuadrën e tij me një goditje të saktë me të djathtën pas një kundërzbritje të shpejtë kur shënohej minuta e 37 e ndeshjes.

Për Gurin, ky ishte goli i tretë sezonal me fanellën e Ostende, ndërsa ka luajtur 24 ndeshje me klubin belg tek i cili u transferua në verën e kaluar nga radhët e Kukësit.

Për fatin e keq të sulmuesit, as ky gol nuk mjaftoi për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij pasi ai u zëvendësua në minutën e 90, ndërsa St. Truiden barazoi shifrat në rezultatin 1-1 kur regjistrohej minuta e 92-të e sfidës.  /vipsport.al/