VIDEO / Kristi Qose i jashtëzakonshëm, dy “Panenka” radhazi dhe ftesë në kombëtare

Ky ka qenë padyshim sezoni më i mirë i karrierës për Kristi Qosen. Mesfushori 23-vjeçar ka shkëlqyer në radhët e Ruzhomberok në këtë edicion duke luajtur e shënuar me rregullsi e duke u kthyer në një specialist të penalltive “Panenka”. 9 gola të realizuar në këtë sezon në Sllovaki e bëjnë Qosen një nga futbollistët më të spikatur dhe me të drejtë pjesë të përfaqësueses shqiptare.

Goli i 9-të erdhi sot në ndeshjen e fundit të kampionatit, ndaj Zhilina, ku ai gjeti rrjetën me penallti në pjesën e parë të sfidës. Lojtari kishte shënuar me “Panenka”  dy javë më parë ndaj Mikalovce dhe nuk nga ngurruar të përsëritë sot të njëjtën lëvizje përballë Zhilinës, duke mashtruar përsëri portierin e duke vendosur barazpeshën me rezultatin 1-1 në minutën e 31-të të sfidës të skuadrës së tij e cila ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës në edicionin e ardhshëm.

Vip Sport ka mësuar se Qose ka siguruar që tani një ftesë në radhët e përfaqësueses shqiptare, pasi trajneri Edi Reja e ka marrë në grumbullimin e ndeshjeve me Islandën dhe Moldavinë. Lojtari pritet t’i bashkohet të hënën grumbullimit të kombëtares për të qenë pjesë e saj për dy sfida shumë të rëndësishme ku ai shpreson të bëjë debutimin në ndeshje zyrtare pasi më parë ka luajtur një miqësore në periudhën kur ekipi drejtohet nga De Biazi. /vipsport.al/