VIDEO / “Klubi mbijetoi me paratë e tifozëve”, festa e Partizanit përfundon te “Copa90”

Klubi i Partizanit ka festuar në këtë fundjavë një sukses historik, duke triumfuar në derbin e kryeqytetit për të bërë të tijin titullin e 16 kampion. I mbërritur pas 26 vitesh pritje, ky titull padyshim kishte një shije të veçantë dhe historia e “vuajtjeve” të të kuqve gjatë këtyre dy dekadave ka bërë bujë edhe në media të ndryshme ndërkombëtare, duke përfunduar mes të tjerave edhe te “Copa90”, i cili i kushton vëmendje historive të tilla.

Videot e festës së ultrasve në tribuna e më pas në fushën e lojës pas suksesit ndaj Tiranës, janë publikuar nga “Copa90”, e cila ka bërë një përshkrim të vogël të historisë së klubit dhe arsyes së festimeve kaq emocionuese.

“FK Partizani sapo fitoi titullin e 16 kampion dhe ky ishte shumë special. Ata kanë kaluar mes shumë peripecish në 25 vitet e fundit duke vuajtur vështirësi financiare dhe rënie nga kategoria, të cilat ishin të vështira për t’u kaluar nga skuadra më e mbështetur në vend.

Situata u bë aq e keqe saqë e ardhmja e klubit u vu në diskutim, pasi skuadra u mbajt nga paratë e mbledhura nga tifozët për të paguar futbollistë.

Pritja e gjatë mori fund të dielën pasi ata mundën 2-1 rivalët historikë të Tiranës për të fituar kampionatin në fushën e tyre me 3 javë të mbetura për t’u luajtur dhe bërë që të shpërthejnë skena të tilla me të vërtetë speciale…”, shkruhej në videon e postuar në rrjetet sociale të “Copa90”. /vipsport.al/

more recommended stories