VIDEO/ Guardiola kapet me gazetarin në konferencë: Po më akuzon? Të dukem sikur paguhem nga të tjerë?

Pak kohë më parë, Roberto Mançini jepte një deklaratë që ngjalli jo pak polemika ku shprehej se në kohën kur drejtonte Mançester Sitin, është paguar edhe nga Abu Dhabi duke marrë kështu para të tjera veç atyre që kishte si pagë mujore.

Në lidhje me këtë çështje, një gazetar anglez ka pyetur në konferencë trajnerin Guardiola duke u interesuar nëse edhe ky merr paga të tilla. Megjithëse zëdhënësi për shtyp ka ndërhyrë jo pak duke dashur ta lërë pa përgjigje, Guardiola ka reaguar duke e konsideruar këtë një akuzë.

“Gazetari: Roberto Mançini pat zbuluar se merrte paga shtesë nga Abu Dhabi kur ishte trajner i Mançester Sitit. A keni marrë ndonjëherë paga të tilla shtesë nga Abu Dhabi që nga koha që drejtoni Sitin?

Guardiola: A e di se çfarë pyetje po më bën? A e di pyetjen që po më bën nëse kam përfituar para nga situata të tjera? Sinqerisht, a mendon se e meritoj të përgjigjem në një pyetje të këtij lloji? Se çfarë ka ndodhur me Roberton unë nuk e di, ndërsa në ditën që fitoj tripletë, ju më pyesni diçka të tillë nëse përfitoj para nga situata të tjera?

Po më akuzon?  Po më akuzon nëse kam përfituar nga situata të tjera? Kjo është mirë”, ishte përgjigja e Guardiolës që mbeti jo pak i çuditur nga pyetja që iu drejtua. /Erjon Allaraj-VipSport.al/