VIDEO / Gol në ndeshjen më dramatike të sezonit, Sadiku dërgon Luganon në Europa League

Armando Sadiku ka vonuar të gjejë golin e radhës me fanellën e Luganos në këtë edicion, por e ka bërë pikërisht në momentin vendimtar të sezonit, atëherë kur ky gol të kishte peshën për të shtyrë ekipin drejt Ligës së Europës.

Në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Grasshopers, sulmuesi shqiptar i cili e nisi ndeshjen si titullar, gjeti rrjetën për golin e 1-0 me një lëvizje prej bomberi të vërtetë. Sadiku shfrytëzoi një harkim të gjatë në zonë nga e djathta për të dërguar topin në rrjetë me kokë dhe për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij në këtë sfidë.

Por ndeshja vazhdoi në mënyrë dramatike dhe me përmbysje të shumta rezultati, duke u mbyllur në fund me shifrat 3-3. Kësisoj, Lugano e pa veten në kuotën e 46 pikëve, ashtu si tre skuadra të tjera por kaloi në grupet e Ligës së Europës duke mbyllur kampionatin në vendin e tretë vetëm falë diferencës më të mirë të golave të rivalëve. /vipsport.al/