VIDEO / E papritur në Gjermani, hapet gara për titull në minutën e fundit. Tjetër asist i Rashicës

Bajern Mynih ka kaluar sot nga festa e titullit kampion te pasiguria në javën e fundit të sezonit të rregullt nëse do të bëjë të vetin trofeun më të rëndësishëm kombëtar. Skuadra e Niko Kovaç është ndalur nga Lajpcig dhe ka parë se si rivalët e Borusia Dortmund siguronin fitoren në shtesën e ndeshjes përballë Fortuna Dyseldorf për të bërë që në javën e fundit të jetë gjithçka e hapur për titullin kampion.

Bavarezët me një fitore sot do të shpalleshin kampionë një javë para fundit, por nuk kanë arritur të gjenin rrjetën në ndeshjen ndaj një ekipi i cili për vete luante për prestigj pasi kishte siguruar prej kohësh vendin e tretë. Sfida u mbyll pa gola dhe e gjithë vëmendja shkoi te dueli tjetër, ai i “Iduna Park”.

Atje Borusia dhe Dyseldorf dhuruan një ndeshje e cila kishte emocione e pasiguri deri ne fund. Pulisiç i dha avantazhi vendasve por më pas rezultati u barazua nga Fink në fillimin e pjesës së dytë. Dileni ktheu përsëri në avantazh Borusian, ndërsa Lukebakio humbi mundësinë të vendoste përsëri baraspeshën duke shpërdoruar penallti. Vetëm një gol i Gëtce në minutën e 92-të dha sigurinë e fitores për Dortmundin, edhe pse Kovnacki pak çaste më vonë shënoi përsëri për të vulosur shifrat përfundimtare 3-2.

Me këto rezultate, Bajern vazhdon të jetë i pari në renditje, me një pikë më shumë se Borusia, por në javën e fundit përballet me Eintraht Frankfurtin që kërkon me çdo kusht fitoren për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Edhe Borusia Dortmund nuk ka një udhëtim të lehtë, pasi luan ndaj Borusia Mynshengladbah e cila ka të njëjtin objektiv, duke bërë që si titulli kampion, ashtu edhe pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve, të jetë e hapur deri në sekondën e fundit të këtij sezoni të Bundesligës. /vipsport.al/

Rezultatet

Augsburg-Herta 3-4

Bajer Leverkusen-Shalke 1-1

Borusia Dortmund-Fortuna Dyseldorf 3-2

Hanover-Fraiburg 3-0

Hofenhaim-Verder Bremen 0-1

Nuremberg-Borusia M’ladbah 0-4

Lajpcig-Bajern Mynih 0-0

Shtutgart-Volfsbug 3-0