VIDEO/ Dy futbollistët e Sitit bëjnë lëmsh Anglinë, Federata i anulon Sterling tripletën ‘e vjedhur’

Mançester Siti arriti të fitonte me rezultatin e thellë 6-0 Kupën FA, duke mundur në finale Uatfordin. Të besuarit e Guardiolës nuk e kanë vënë në diskutim për asnjë moment fitoren e tyre duke dhuruar spektakël në finale, por edhe polemika në lidhje me golat e shënuar.

Ka qenë pikërisht Rahim Sterling ai i cili në minutën e 38 të takimit ka shtyrë në rrjetë një top i cili kishte kaluar vijën fatale dhe fillimisht ishte goditur nga Gabriel Zhezus. Fillimisht u konsiderua goli i Sterling, me këtë të fundit që arriti një tripletë historike që nuk ndodhte prej vitesh pasi për herë të fundit, në vitin 1953 kishte ndodhur që një futbollist të shënonte tripletë në finalen e FA Cup.

Megjithatë, Federata Angleze ka marrë një tjetër vendim dhe golin ia ka akorduar Gabriel Zhezusit, duke marrë të mirëqenë faktin se topi e kishte kaluar vijën fatale në momentin që Sterling e ka shtyrë. Kështu, në fuqi mbetet rekordi i vitit 1953 ndërkohë që Sterling dhe Zhezus nuk i kanë kursyer shakatë në rrjete sociale. /Erjon Allaraj-VipSport.al/