VIDEO / Bajerni rrëmben edhe Kupën, finale pa histori përballë Lajpcigut

Niko Kovaç ishte një nga emrat më të diskutuar të këtij sezoni që  kur mori drejtimin e Bajern Mynih, por tekniku kroat ia ka dalë të mbyllë sezonin me dy trofe, duke siguruar pas kampionatit edhe Kupën e Gjermanisë. Në finalen ndaj Lajpcig, skuadra e tij dominoi duke fituar me shifrat 3-0 që nuk lënë vend për diskutim pas një paraqitje shumë bindëse.

Lajpcig thumboi në fillimin e ndeshjes, duke goditur traversën me Poulsen, por më pas ishte Bajerni që diktoi ritmin dhe rrezikoi disa herë derisa gjeti rrjetën me një goditje me kokë mjeshtërore të Levandovskit.

Edhe pjesa e dytë ishte si e para, me Lajpcig që kërkoi me ngulm golin në fillim për t’i lëshuar më pas terren bavarezëve. Këta të fundit dominuan me raste të njëpasnjëshme dhe gjetën golin e dytë me Koman në minutën e 78 të duelit. Në minutën e 85-të, Levandovski me një tjetër aksion spektakolar i vendosi kapakun ndeshjes dhe siguroi trofeun e dytë sezonal për skuadrën e tij.

Kjo ishte edhe ndeshja e fundit me bavarezët për Arjen Roben dhe Frank Riberi, të cilët luajtën të dy disa minuta në pjesën e dytë të duelit, për t’u përshëndetur në mënyrën më të mirë të mundshme me tifozët e tyre. /vipsport.al/