VIDEO / Ajeti, Demhasaj, Kololli e Toma! Sa shumë gola shqiptarë në Zvicër

Futbollistët shqiptarë që luajnë në Zvicër kanë kaluar sot një pasdite shumë pozitive, duke qenë protagonistë me skuadrat përkatëse në tre ndeshjet e sotme të kampionatit. Në të tre këto ndeshje kishte shqiptarë që lanë shenjën e tyre duke tundur rrjetën e duke siguruar rezultate të rëndësishme.

Kështu mund të thuhet për golin e Bastien Toma, i cili në minutën shtesë të ndeshjes shënoi golin e suksesit 1-0 të skuadrës së Sion ndaj Ksamaks, duke larguar ekipin e tij nga zona e ftohtë e renditjes e ngjallur për javët e fundit përsëri shanset për pjesëmarrjen në Europë. Mesfushori që ndiqet nga Shqipëria e Kosova ishte titullar në këtë sfidë, ndërsa Burim Kukeli qëndroi në stolin e rezervave, kurse Lenjani vazhdon të mungojë për dëmtim.

Benjamin Kololli shënoi golin e tij të 10 të sezonit në suksesin 3-0 të Zyrih ndaj Tun. Ai gjeti rrjetën me penallti në minutën e 31-të të sfidës të cilën skuadra e tij e dominoi plotësisht dhe siguroi përsëri vendin e katërt që të çon në Europa League.

Ndërkohë, ka qenë një ndeshje spektakolare ajo mes Bazelit dhe Lucernës e mbyllur me suksesin 3-2 të skuadrës vendase, ku rrjetën e gjeti edhe  Albian Ajeti. Shifrat shkuan në 3-0 për Bazelin me golin e tij, por më pas Shkëlqim Demhasaj gjeti dy herë rrjetën brenda 3 minutash duke bërë që ndeshja të ishte e hapur deri në fund. Në radhët e Bazelit sot luajti për 90 minuta Zhegrova, ndërsa Taulant Xhaka u aktivizua në minutën e 14 të sfidës. /vipsport.al/