Vendimi i çuditshëm i Tiranës, nuk do tifozë në ndeshjen e sezonit

Klubi i Tiranës po kalon një moment shumë të vështirë pasi e sheh veten të rrezikojë përsëri mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Bardheblutë e shohin veten me vetëm 2 pikë avantazh ndaj Kastriotit që i ndjek dhe që u rrezikon mbijetesën dhe këtë fundjavë kanë një ndeshje direkte me krutanët, në “Selman Stërmasi” .

Normalisht, çdo klub do të dëshironte që të kishte mbështetjen e pakufizuar të tifozëve në një ndeshje kaq vendimtare. Me siguri, në disa klube do të diskutohej edhe hyrja falas në stadium. Por jo te Tirana.

Sipas RTSH, te bardheblutë për momentin tifozët shihen më shumë si një telash dhe armik sesa një ndihmë për ekipin. Trysnia nën të cilën ata vendosin lojtarët në fushën e lojës duket nuk është e përballueshme nga futbollistët e për këtë arsye, në ndeshjen ndaj Kastriotit klubi po mendon të mos paguajë gjobën për dënimin e KDS-së që të kthejë mbështetësit në impiant për duelin vendimtar.

Natyrshëm, pritet konfirmimi i klubit. Por nëse merret një vendim i tillë dhe pastaj Tirana dështon në duelin ndaj krutanëve, nuk është aspak çudi që kjo të shënojë krisjen përfundimtare më mbështetësit bardheblu të cilët jo pak herë kanë shprehur publikisht pakënaqësinë e tyre me mënyrën se si menaxhohet klubi. /vipsport.al/