Vejle bie nga kategoria, për Ylber Ramadanin ka sinjale largimi

Ylber Ramadani duket se nuk do të vazhdojë edhe shumë gjatë aventurën e tij në radhët e skuadrës së Vejle në kampionatin danez të futbollit. Kjo pasi skuadra e tij ka rënë sot zyrtarisht në kategorinë e dytë dhe trajneri i ri, i emëruar pas dorëheqjes së Sormanit, nuk e kishte në planet e tij futbollistin shqiptar dhe në ndeshjen e sotme që dekretoi rënien nga play-off, e la në stol.

Vejle kishte fituar 1-0 në transfertë në sfidën e parë të play-off ndaj Hobro, por gaboi gjithçka në shtëpi duke humbur 1-0 në kohën e rregullt dhe në shtesa pësoi golin që dekretoi rënien nga kategoria. Ramadani qëndroi gjatë 120 minutave në stol, ndërsa në shtesën e takimit u aktivizua vetëm Muçolli.

Më rënien në kategorinë e dytë në klub pritet të ketë ndryshime dhe largimi i Ramadanit pas dy sezonesh atje duket i sigurt. Mbetet për t’u parë ku do të vazhdojë karrierën e tij mesfushori i përfaqësueses shqiptare, nëse në një kampionat tjetër apo do të kthehet përsëri në Superiore ku sigurisht nuk mungojnë skuadrat që do ta dëshironin. /vipsport.al/