Vazhdon apeli i ultrasve të Tiranës, kërkojnë të “pushtojnë” Laçin në fundjavë

Ndeshja e kësaj jave ndaj Laçit mund të jetë përcaktuese për fatin e Tiranës në Kategorinë Superiore. Për këtë janë të ndërgjegjshëm tifozët e Tiranës të cilët me sa duket kanë hedhuri pas krahëve për momentin të gjitha kundërshtitë që kanë me drejtuesit e klubit bardheblu dhe po mendojnë se si të mbështetin në të gjitha mënyrat ekipin për të evituar një tjetër turpërim më rënien nga kategoria.

Si rrjedhojë, prej disa ditësh, grupimi “Tirona Fanatics”, po bën thirrje që tifozët të jenë të pranishëm në transfertë në Laç, për të mbështetur atje skuadrën në një ndeshje shumë të tensionuar edhe si pasojë e historisë së fundit mes dy klubeve dhe presidentëve që u konfliktuan fizikisht mes tyre një muaj më parë.

“Transferta e radhës është tejet delikate, prandaj dhe prezenca e çdokujt është e rëndësishme… Tirona, sot, ka vetëm tifozët e saj në krah, dhe çdo instrument tjetër kundër…

Në Laç, TË DIELËN, VETËM PËR EMRIN E MODH TË TIRONËS!”, shkruhej në postimin e sotëm në rrjetet sociale të “Fanatics” të cilët me sa duket shpresojnë të jenë të shumtë në numër në këtë transfertë të radhës duke u munduar që të mbështetin ekipin dhe ta ndihmojnë për të siguruar mbijetesën në Superiore. /vipsport.al/