Vazhdojnë largimet e çuditshme të Kukësit, klubi shkarkon edhe Rrahman Hallaçin

Nuk ka qetësi në këtë sezon te Kukësi, ku vendimet e këtij edicioni kanë bërë të ngrihen shumë herë pikëpyetje mbi mënyrën se si janë menaxhuar situatat kur klubi nuk ka realizuar pritshmëritë. Vendimi më i fundit i diskutueshëm për mënyrën se kur dhe si erdhi është ai i shkarkimit dhe largimit të menjëhershëm nga verlindorët i zëvendëstrajnerit Rrahman Hallaçi, ish-kapiten dhe padyshim një nga figurat më përfaqësuese të saj në këto edicione në elitën e futbollit shqiptar.

Hallaçi luajti te Kukësi që nga viti 2012 deri në vitin 2017 dhe më pas u bë pjesë e stafit teknik të ekipit duke punuar përkrah trajnerëve të ndryshëm në këto dy vite. Por në mënyrë të papritur, këto ditë klubi i ka komunikuar atij shkarkimin duke larguar nga stafi aktual i cii drejtohet nga Ernest Gjoka.

Nuk dihet ende nëse ky vendim është marrë pas konsultimeve me stafin aktual teknik të klubit, por burime zyrtare kanë konfirmuar për Vip Sport se Hallaçi nuk është më pjesë e verlindorëve dhe nuk do të jetë i pranishëm as në ndeshjet e fundit të klubit për këtë sezon e as pritet që të bëhet pjesë e tij edhe në verë në pjesëmarrjen në Europë.

Ky vendim shoqëron të tjerë mjaft të diskutueshëm të këtij sezoni si largimi e më pas kthimi i Musollit, konfirmimi e më pas shkarkimi brenda dy javësh i Cungut, shkarkimi për “inaktivitet në pankinë” i Ndreut apo riemërimi i Gjokës për të cilin drejtuesit e klubit nuk kishin folur me tone miqësore deri pak ditë para zyrtarizimit. /vipsport.al/