Uanda flet si eksperte: Penalltitë i humbet dikush që ka b***, harrojnë golat e shënuar

Interi arriti të fitonte ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Empolit duke u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Zikaltërit fituan me shumë vuajtje me rezultatin 2-1 ndërkohë që në pjesën e dytë, Ikardi mund të mbyllte llogaritë por humbi një penallti duke lënë gjithçka të hapur.

Kritikat dhe vërshëllimat në stadium kanë qenë sërish prezente për ish-kapitenin e Interit që duket se tashmë nuk mund ta rifitojë më dashurinë e tifozerisë. Në përfundim të takimit, ka qenë Uanda Nara ajo që me një postim në “Instagram” u ka kujtuar të gjithëve se kush është në të vërtetë Ikardi.

Sakaq, në emisionin “Tiki Taka” ajo u shpreh se penalltitë i humbet një futbollist që ka b***. “Penalltitë humben dhe është diçka normale, por penalltitë i humbet ai që ka b*** dhe i merr përsipër që t’i ekzekutojë”, tha Uanda.

“Ndonjëherë, golat kundër Barcelonës, Totenhemit, 3 në derbi, 124 në moshë 26 vjeçare nuk mjaftojnë. Ndonjëherë askush nuk e vlerëson që ke luajtur edhe me dhimbje. Ndonjëherë futbolli të vë në provë por për ne e vetmja gjë e cila na intereson është krenaria që dimë se je një njeri i madh para se të jesh një futbollist i madh. Gjithmonë krenare me ty dhe të shoh në sytë e tu zjarrin që ke të luash për ekipin që ti dashuron”, ishte postimi i Uandës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/