Tuhel e pranon se mund të largohen yjet e ekipit: Nuk jam naiv, merkato është e çmendur

Trajneri i PSG, e pranoi për herë të hapur se yjet e ekipit si Kilian Mbape dhe Nejmar mund të largohen në verë. Tekniku gjatë një deklarate për mediet tha se nëse do të ishte për të nuk do t’i lejonte të transferoheshin në një klub tjetër, megjithatë shtoi se merkato është e çmendur dhe se nuk mund të tregohej naiv. “ Kështu është futbolli, nuk jemi naiv.

Shumë klube kërkojnë të transferojnë lojtarë dhe merkato është e çmendur. Nëse do të më pyesnin mua, si trajner, do t’i doja Nejmar dhe Mbape këtu në sezonin e ardhshëm. Por nuk funksionon kështu, nëse largohen atëherë do të mundohemi të gjejmë zgjidhje”. Ndërkaq, tekniku gjerman foli edhe mbi deklaratën e Mbapes, ku u shpreh se kërkon më tepër përgjegjësi në skuadër pasi në rast të kundërt mund të largohej.

“ Mbape ka qëllime dhe është shumë inteligjent, mbase ka menduar se ishte momenti i duhur për t’u shprehur, por ai është i ftuar ashtu si të gjithë futbollistët të marrin përgjegjësi. Por, nuk është nevoja të mbash një fjalim për ta shprehur këtë. Ai është një tip i veçantë, do të shënojë, shënojë dhe vetëm të shënojë, të fitojë çdo titull të mundshëm. Djemtë e këtij lloji janë special, kuptoj këtë dhe nuk jam i zemëruar”, u shpreh Tuhel.

/EgiCabeli-VipSport.al/