Trajneri i Albacetes tregon problemet e Manajt: Askush nuk bie nga qielli

Te Albacete e dinë mire se duhet shumë kujdes me futbollistët e rinj, sidomos me ata të cilët në të kaluarën janë etiketuar shpesh si “problematikë”. Sigurisht, bëhet fjalë për Rei Manajn, i cili falë karakterit të veçantë që ka, në karrierën e tij ka pasur shpesh probleme në klubet ku ka luajtur.

Trajneri i Albacetes, Luis Miguel Ramis, ka pranuar sot në konferencë për shtyp që nuk është e thjeshtë të administrosh situatat, por mundohet gjithmonë që të bëjë më të mirën me djemtë e rinj. Ai ka shpjeguar këndvështrimin e tij se pse një lojtar si Manaj nuk kishte luajtur me rregullsinë që pritej fillimisht prej tij.

“Unë kam pasur gjithmonë besim te Manaj. Ajo që ndodh është se unë nuk njoh punën e pjesshme. Lojtarët kanë nevojë për momente të mira që pastaj të shfaqin atë që bëri Manaj në ndeshjen e fundit. Unë nuk dënoj askënd. Lojtarët janë të rinj dhe shpesh mendojnë se e bëj një gjë të tillë, por nuk janë kritika.

Un jam kërkues dhe ajo që i nevojitet grupit është gjëja kryesore. Puna ime është t’u tregoj të gjithëve që duhet të kalosh vetveten në mënyrë të përditshme, që të shfrytëzojnë mundësinë që u jepet, kur ajo të shfaqet. Puna ime është që të gjithë të reagojmë njëlloj dhe të përgjigjen njëlloj. Jo gjithmonë kjo ecuri është e lehtë, janë djem të rinj dhe askush nuk ka rënë nga qielli. Gjithçka vjen falë kërkesës së llogarisë dhe kush do ta kuptoje, do të shpërblehet”, ishin fjalët e trajnerit pasi u pyet për sulmuesin shqiptar. /vipsport.al/