Totenhemi plotësohet para finales, rikuperohet sulmuesi Kejn dhe mbrojtësi

Më datën 1 qershor do të vihet në skenë finalja e Champions League, mes Totenhemit dhe Liverpulit. Një finale e gjitha angleze teksa stadiumi që do të mirëpresë eventin më të madh për klube është përzgjedhur ‘Wanda Metropolitano’, shtëpia e Atletiko Madrid. Ndërkohë, me kampionati anglez që ka ulur siparin të dyja skuadrat janë fokusuar te përgatitja e finales.

Lajme të mira nga kampi i Totenhemit, të cilët kanë rikuperuar Herri Kejn. Një rikthim tejet i rëndësishëm për trajnerin Mauricio Poçetino, i cili do të ketë në dorë armën e tij më të fuqishme. Sulmuesi u dëmtua në çerekfinale ndaj Mançester Sitit, megjithatë ‘Spurs’ ia dolën edhe pa britanikun. Ndërkaq, një tjetër rikuperim i rëndësishëm është edhe ai i mbrojtësit Jan Vertongen.

Belgu kishte probleme me kyçin e këmbës, por deri në ditën e sfidës pritet të jetë plotësisht i gatshëm. Mesa duket, Totenhemi është gati dhe i plotë për finalen ndaj Liverpulit, ku do të provojnë edhe suksesin e parë historik në këtë kompeticioni.

/EgiCabeli-VipSport.al/