Tirana triumfon në finalen e 17-vjeçarëve përballë Shënkollit, sfidën e vendos një gol i dyshimtë

Skuadra e 17-vjeçarëve të Tiranës ia ka dalë të mposhtë në stadiumin ‘Selman Stermasi’, bashkëmoshatarët e tyre, ekipin e Shënkollit me golin e mesfushorit Andri Stafa në pjesën e dytë të lojës. Një gol që krijoi një situatë të vështirë pasi nga pamjet nuk dallohet qartë nëse topi e kishte kaluar apo vijën fatale.

Megjithatë, arbitri kryesor Durmishi vendosi ta akordonte golin, duke ngjallur protesta te stafi dhe lojtarët e Shënkollit, të cilët kishin pretendimet e tyre se sfera nuk e kishte kaluar vijën fatale. Ndërkaq, pas këtij episodi loja pati acarime ndërsa u ndërpre për disa minuta pas një faulli të shkaktuar nga lojtarët e Shënkollit, i cili ishte pikënisje për disa konflikte në fushë mes futbollistëve.

Gjithsesi, situata u qetësua me lojën që vazhdoi normalisht, ndërkohë që Shënkolli deri në fund provoi të gjente golin e barazimit, por pa ia dalë. Në fund, ndeshja u mbyll me fitoren e Tiranës, me rezultatin 1-0, teksa bardheblutë u shpallën kampion të Kategorisë Superiore për moshën U17.

/EgiCabeli-VipSport.al/