Tifozët i turpëruan duke u hequr fanellat, dy kuqezinjtë i veshën përsëri dhe u turpëruan më keq

Situata po shkon keq e më keq për Arlind Ajetin dhe Bujar Likën, dy mbrojtësit e përfaqësueses shqiptare të cilët aktivizohen me skuadrën e Grasshopers. Pak ditë më parë, ata ishin pjesë e një turpërimi pasi tifozët pasi ndërprenë ndeshjen e tyre në kampionat, detyruan gjithë ekipin që të shkonin poshtë tribunës dhe të dorëzonin fanellat.

Sot lojtarët u kthyen përsëri në fushë për të luajtur me Grasshopers ndeshjen e javës së 34 në kampionatin zviceran, duke u turpëruar edhe me keq, pasi sfida përfundoi 6-1 për Jang Bojs, i pamëshirshëm në këtë duel ndaj skuadrës së rënë nga kategoria.

Ajeti ishte titullar në këtë ndeshje, duke dhuruar një paraqitje aspak bindëse pasi dukej qartësisht si kolegët e ekipit që ishte në fushë thjesht se duhej, pasi të gjithë po presin mbylljen sa më parë të këtij edicioni të tmerrshëm. Disa gabime të tij sollën të paktën 2 nga golat e Jang Bojs, që shënoi nga 3 në secilën pjesë. Në fraksionin e dytë të lojës, në fushë ishte edhe Bujar Lika, por as ai nuk arriti të ndalte vrullin e kampionëve të cilët gjenin rrjetën me thuajse çdo gjuajtje në kuadrat.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të luajtur sor, Lugano e Armando Sadikut fitoi 1-0 ndaj St. Galen dhe u ngjit në vendin e tretë në renditje. Por sulmuesi shqiptar, siç ka ndodhur shpesh në ndeshjet e fundit, e ndoqi sfidën nga pankina pasi nuk u aktivizua asnjë minutë. /vipsport.al/