Testim para syve të Takajt, Shehi: Nuk ka ndonjë që më bind 100%, situatë alarmante

Skuadra e Skënderbeut po shfrytëzon ditët e fundit të sezonit edhe për të parë në veprim disa nga elementët e rinj që klubi po mendon të afrojë për sezonin e ardhshëm. Për këtë arsye, dje u zhvillua një miqësore me ekipin e Maliqit, ku u panë në veprim lojtarë nga ekipi i të rinjve, por edhe disa futbollistë afrikanë.

Një ndeshje e cila u ndoq nga drejtuesit më të lartë të klubit, përfshirë edhe presidentin Takaj, por që nuk ka bindur plotësisht Shehin mbi cilësinë e futbollistëve që i kanë venë në dispozicion për të projektuar të ardhmen.

“Me një ndeshje është shumë shpejt për të dhënë një mendim, por nuk është se kishte ndonjë që më bindi 100% për të qenë pjesë e skuadrës apo për të bërë diferencën. Deri diku dy futbollistë më dhanë shkëndijë a shenjë që mund të kenë njohuri e luajnë futboll. Por sigurisht pjesa tjetër janë të gjithë të rinj. Por të shohim në ndeshjet në vazhdim se si do të jenë”, tha ai për RTSH duke konfirmuar se këto testime do të vazhdojnë para fillimit të pushimeve.

Ndërkaq, ai përballet me një situatë shumë të vështirë sa i përket krijimit të ekipit për ndeshjen e fundit që do të luajë këtë sezon ndaj Luftëtarit, pasi javën e fundit e ka pushim për shkak se ka të planifikuar sfidën me Kamzën në kalendar.

“Një situatë alarmante. Krasniqi është jashtë përfundimisht se ndoshta i duhen shumë javë për t’u rikuperuar. Bregu nuk është se ka ndonjë shqetësim, do të jetë në fushë. Oto Xhon nuk po vrapon ende, Radas sot ka filluar të vrapojë, jemi në një situatë me shumë mungesa por shpresoj lojtarët që janë të gatshëm ta mbyllin me sukses këtë ndeshje”, theksoi Shehi. /vipsport.al/