Telushi pas titullit: Derbi ndeshja më e bukur, shpresoj që Tirana të rikthehet në nivele të larta!

Pas ndeshjes kundër Kukësit, e parafundit për këtë sezon dhe ngritjes së trofeut, 28-vjeçari Bruno Telushi, një nga liderët e skuadrës së Partizanit këtë sezon tha për Supersport: “Për pjesën e të fortit, kemi qenë të gjithë të fortë, jo vetëm unë. Gjithsesi, më bëhet qejfi që jam futur në zemrën e tifozëve dhe ndihem mjaft mirë dhe mjaft i lumtur. Kjo gjë të bën të japësh maksimumin”, – tha vlonjati që luan sezonin e tij të dytë radhazi te “demat e kuq”.

Ndeshja kulminante

Telushi ka folur edhe për ndeshjen më delikate të sezonit, ose më saktë se kur ka qenë kulmi i atij dhe të kuqve: “Normalisht që jo vetëm për mua, por për të gjithë sportdashësit, derbi është një ndeshje kulmi i futbollit shqiptar. Mua më vinte keq që Tirana ishte në këto ujëra. Shpresoj që të qëndrojnë në Superiore dhe sezonin tjetër të përjetojmë sërish derbi të bukur”.

Ndryshimet

Telushi është një futbollist me eksperiencë dhe në Superioren tonë ka luajtur me ekipet më të mira, me Flamurtarin e Partizanin. I pyetur për merkaton dhe se çfarë do të bënte ndryshe, ai ka theksuar se: “Nëse do të ishte në dorën time, unë mendoj se nuk duhen shumë ndryshime. Po ta vini re, te Partizani u bënë të gjithë si puna ime, të gjithë ushtarë. Normalisht që çdo ekip ka të mirat dhe të këqijat e veta, por në pozicionin tim do të thoja që, nëse do të mbanim topin më shumë në kontroll, do të ishte pozitive. Pjesa tjetër, ka qenë super”, – përfundoi Telushi.

E.S./Vipsport.al/