Te Partizani janë kampionë edhe jashtë fushe, ditë e veçantë me miq të veçantë

Klubi i Partizanit është bërë shpesh në vitet e fundit pjesë e iniciativave të rëndësishme sociale për komunitetin dhe ajo e sotmja ka qenë e tillë. Kampionët e saposhpallur të Superiores kanë hapur dyert e stërvitjes së tyre për disa miq shumë të veçantë, pasi kanë pritur mes tyre një grup fëmijësh jetimë në ditën ndërkombëtare të fëmijëve jetimë.

Klubi i kuq i është përgjigjur menjëherë pozitivisht iniciativës së Kryqit të Kuq që lojtarët e drejtuesit të takonin këto miq të veçantë dhe në stërvitjen e sotme u kanë dhuruar atyre një ditë për të mos e harruar. Fëmijët kanë takuar futbollistët, kanë bërë shumë foto kujtim me ta por edhe kanë marrë dhurata prej tyre duke e kthyer këtë në një argëtim për të gjithë.

Më pas, të gjithë bashkë kanë zhvilluar edhe një ndeshje futbolli ku të gjithë janë rreshtuar në fushë përkrah kampionëve, për ta bërë më të veçantë këtë ditë për një shtrese të komunitetit që ka më shumë nevojë për ngrohtësi e mbështetje. /vipsport.al/