Tashmë objektiv i Juventusit dhe PSG, mesfushori dikur u refuzua se ishte mbipeshë

Tangui Ndombele është një nga mesfushorët më të kërkuar për momentin, teksa favoritët në garë për mesfushorin janë Juventusi dhe PSG. 22-vjeçari aktivizohet me Lionin dhe këtë sezon ka pasur një paraqitje fantastike duke tërhequr vëmendjen e klubeve që kërkojnë shërbimet e tij.

Mirëpo, Ndombele nuk ka qenë gjithnjë i preferuari i skuadrave, pasi gjatë adoleshencës e tij është përballur me jo pak refuzime për arsye se ka qenë mbipeshë. Në moshën 14-vjeçare, francezi me origjinë kongoleze u regjistrua te akademia e Guingamp, por pa arritur të kishte sukses ndërsa nuk arriti të nënshkruante një kontratë profesioniste. Ndërkohë që pati të njëjtën eksperiencë edhe te Okser, Kaen apo Angers, arsyeja ishte gjithmonë e njëjtë. Djaloshi cilësohej mbi peshë dhe pretendohej se kishte një strukturë të parregullt për të luajtur futboll.

Megjithatë, përtej refuzimeve Ndombele nuk u dorëzua dhe i mjaftoi një shans te skuadra e Amiens për të fituar mundësinë e tij. Sot, te Lioni, mesfushori është një nga futbollistët më të rëndësishëm, teksa krahasohet me Majkëll Esien apo Ngolo Kante prej punës së palodhur në fushë.

 

/EgiCabeli-VipSport.al/