Taren kërkon t’ia rrëmbejë Milani, Lotito: Një fenomen në fushën e tij

Në Itali janë të bindur se Igli Tare është kthyer në kandidatin numër 1 për postin e drejtorit sportive të Milanit dhe do të zërë shumë shpejt vendin e Leonardos. Drejtuesi shqiptar i Lacios ka tërhequr vëmendjen me aftësitë e tij dhe ka bërë që ta ndjekin me shumë interes klubet e mëdha. Por sigurisht, edhe te Lacio nuk duan që të heqin dorë nga ai dhe këtë e konfirmoi presidenti i kësaj skuadre, Klaudio Lotito.

Ai ka marrë meriat për “zbulimin” e Tares në këtë rol, por ndërkohë ka vlerësuar maksimalisht drejtuesin shqiptar për atë që arrin të bëjë.

“Lacio ka potencial dhe nëse personat që janë pikat e referimit punojnë bashkë, mund të arrijnë objektivat. Ju flisni për Inzagin, por Tare ishte një lojtar dhe unë e desha që të bëhej drejtor sportiv. Sot të gjithë thonë se është një drejtor sportiv i madh”, tha Lotito për “Corriere Dello Sport”.

“Të gjithë janë rritur falë një presidenti që i mbështet dhe mundohet t’u japë mundësinë që të shprehin veten. Jemi një strukturë e freskët dhe e re që ka zgjedhur mbi cilësitë morale dhe profesionale. Cilësia e personave bën diferencën. Tare është një fenomen në fushën e tij”, tha drejtuesi më i lartë i Lacios. /vipsport.al/