Tare i rikthehet merkatos, hedh sytë nga mbrojtësi problematik në Portugali

Nëse sezonin e kaluar Lacio luftoi për një vend në Champions deri në javën e fundit të kampionatit, gjërat kanë ndryshuar këtë sezon për lacialët. Skuadra e drejtuar nga Simone Inzagi ka qenë larg pritshmërive dhe tashmë synon vetëm një vend në Ligën e Europës pasi ëndrra Champions ka marrë fund matematikisht.

Kjo ka bërë që drejtori sportiv, Igli Tare të mendojë për merkaton e verës dhe reparti ku mund të ketë më shumë ndërhyrje, është mbrojtja. Vendi i lënë bosh nga Stefan De Vraj, ende nuk është plotësuar dhe vetë Tare ka hedhur sytë nga kampionati portugez. Duke qenë se Çelsii ka bërë rezistencë të vazhdueshme për shërbimet e Zapakostës, Tare ka nisur të mendojë për mbrojtësin maqedonas, Stefan Ristovski.

Mbrojtësi 27-vjeçar aktivizohet me Sportingun e Lisbonës dhe ka qenë ndër më të dalluarit në fushën e blertë megjithëse ka probleme të shumta disiplinore. Mbrojtësi ka marrë këtë sezon 3 herë karton të kuq direkt duke e penalizuar jo pak skuadrën e tij dhe shihet si momenti i duhur për t’i dhënë lamtumirën Sportingut. /Erjon Allaraj-VipSport.al/