Taku: Te Tirana ka ndërhyrje në skuadër, përsëriti gabimet e vitit që ra. Flamurtari meriton medalje

Afrim Taku është larguar nga futbolli shqiptar që nga momenti kur vendos itë vazhdonte të jetonte në SHBA dhe të aktivizohej atje, tashmë me Sharlot Indipendens. Por ai vazhdon të ndjekë me shumë vëmendje atë që ndodh në vendin tonë. Ajo që ish-mesfushori i Tiranës ka konstatuar është se bardheblutë kanë përsëritur gjërat e gabuara që bënë dy vite më parë kur ranë nga kategoria dhe insiston se në klub ka probleme.

“Tiranës i uroj më të mirat dhe shpresoj ta fitojë këtë ndeshje me Kastriotin. Unë mendoj se janë përsëritur po të njëjtët gabime si para dy vitesh. Shpresoja se do ndryshonte diçka nga eksperienca që patëm atëherë, por me sa duket në bazë të rezultateve është po e njëjta gjë. Unë besoj se profesor Mema ka bërë punë të mirë nga ana stërvitore me ekipin sepse e njoh kur kemi qenë tek ekipi i Skënderbeut bashkë. Problemi te Tirana është se ka ndërhyrje nga individë të ndryshëm brenda klubit. Një minus shumë i madh është edhe situata me tifozët që vazhdon të jete e acaruar dhe mungesa e mbështetjes ndikon tek ekipi. Unë mendoj se tifozët janë pjesa kryesore e ekipit”, theksoi ai në një intervistë për “Klan Plus”.

Sipas tij, kjo situatë kishte vetëm një zgjidhje, atë të afrimit të më shumë donatorëve rreth skuadrës, për një ndihëm më të madhe financiare. “Zgjidhja më e mirë sipas meje është bashkimi i shumë donatorëve te Tirana. Halili ka dhënë dhe po jep financat e familjes së tij për Tiranen dhe për këtë duhet ta falënderojnë. Mendoj se ka ardhur momenti që të afrohen sa me shumë donatorë që i duan të mirën Tiranës”, vijoi mesfushori.

Ndërkohë, duke i bërë një analizë Superiores, Taku ka ndarë edhe “çmimet” e tij duke folur për një titull të merituar të Partizanit, sakrificën e lojtarëve të Flamurtarit apo edhe ecurinë e skuadrave të tjera që i dhanë ngjyrë këtij sezoni.

“Kategorinë Superiore e kam ndjekur pothuajse rregullisht. E uroj Partizanin për titullin kampion edhe pse nuk më pëlqeu fare që e vulosi në derbi, por e kanë merituar këtë sezon. Mendoj që para dy vitesh kanë pasur ekip shumë herë më të mirë, por në atë kohë ka qenë konkurrenca më e lartë. Këtë vit ata kanë ditur të menaxhojnë në mënyrën më të mirë grupin dhe i kanë marrë ekipit më të mirën. Mendoj që si profesor Skënder Gega si trajner, ashtu dhe Olsi Rama si drejtor teknik, meritojnë titullin trajneri dhe drejtori i vitit.

Për ekipet e tjera mendoj që Skënderbeu e nisi mirë, por gjatë rrugës vuajti shumë mungesën e eksperiencës sepse në momentin që humbën 1 apo 2 ndeshje e kishin të vështirë të dilnin nga situata. Teuta e nisi mire fazën e parë, por nuk e di çfarë ndodhi në fazën e dytë dhe lanë shumë pikë. Gjithsesi, në qoftë se Teuta arrin Kupat e Europës, atëherë quhet sezon i suksesshëm.

Flamurtarit mendoj se duhet t’i jepet një medalje e veçantë për sakrificën e bërë gjithë këto muaj pa u paguar dhe rezultatet kanë qenë shumë të mira. Mendoj që meritën kryesore e ka profesor Ilir Daja i cili për mendimin tim është një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri. Ai ka ditur ta mbajë ekipin të bashkuar dhe gati për të fituar ndeshjet. Kukësi mendoj se ka vuajtur shumë ndryshimet që u bënë me trajnerët dhe lojtarët, por me pjesëmarrjen në Kupat e Europës mendoj se mund ta quajë një sezon të shpëtuar. Laçi është aty si çdo vit, i fortë dhe gati për Kupat e Europes. Kastrioti ka bërë shumë mirë fazën e dytë dhe i ka dhënë emocion kampionatit. Në përgjithësi ka qenë një kampionat i mirë nga mënyra si është zhvilluar”, ishin fjalët e Takut. /vipsport.al/