Synohet mbijetesa, në Krujë luhet me dyer të hapura

Kastrioti do të presë në fushën e vet të dielën skuadrën e Flamurtarit. Krutanët besojnë ende për mbijetesën në Superiore, ndaj edhe drejtuesit kanë menduar që në këtë sfidë, skuadra të ketë një mbështetje të madhe edhe nga tifozët e saj. Për hir të së vërtetës, në Krujë fansat nuk kanë munguar, ndërsa drejtuesit kanë menduar që ndaj Flamurtarit hyrja të jetë falas.

Ja postimi që ka bërë klubi krutan pak minuta më parë: “Këtë të diel në “Redi Maloku”, Kastrioti do të presë ekipin e Flamurtarit. Klubi ka vendosur që për këtë ndeshje hyrja për të gjithë tifozët të jetë falas, ndaj ju ftojmë të gjithëve të jeni në mbështetje të skuadrës në këtë ndeshje në këtë ndeshje të rëndësishme. Me ju në stadium gjithçka është më e lehtë”.

Kastrioti do të synojë 3 pikët duke mos u ndikuar nga ecuria e rivalëve, pasi krutanët kanë një ekip solid dhe në pjesën e dytë të sezonit janë treguar dinjitozë, duke marrë pikë dhe fituar, jo vetëm në fushën e vet por edhe në transfertë delikate dhe me ekipe me pretendime.

E.S./Vipsport.al/