Superiorja në fushë / Katër qytete duan Europën, një finale mbijetesë luhet në kryeqytet

Një javë më parë, në Superiore u zyrtarizua titulli kampion që është “pronë” e skuadrës së Partizanit pas 26 vitesh, ndërsa sot në orën 16:30 zbresin në fushën e lojës tetë skuadra, pasi Kamza-Luftëtari nuk luhet për shkak të përjashtimit të Kamzës dhe gjirokastriteve u shtohen edhe 3 pikë pa luajtur!

Superiorja e sezonit 2018-2019 ka ende verdiktet e sezonit pa dhënë, pasi janë ende për t’u përcaktuara gara për Europë, por edhe mbijetesa.  Vëmendja maksimale do të jetë në kryeqytet, pasi në “Selman Stërmasi” do të luhet sfida direkt për mbijetesën, mes Tiranës dhe Kastriotit, një përballje do të vendosë shumë për të dyja skuadrat, me 24 herë kampionët që tashmë kanë vetëm 2 pikë më shumë se krutanët. Luhet në një “Selman Stërmasi” të boshatisur, për shkak të pezullimit të tifozërisë bardheblu.

Ndërkohë, janë edhe katër qytete që duan një biletë Europiane, dhe bëhet fjalë për Flamurtarin që pret Laçin në Vlorë një duel mjaft i nxehtë, ashtu si dhe Skënderbeu i Korçës që shpreson ende, ndonëse luan një transfertë delikate me Kukësin që e ka siguruar Europën nëpërmjet kampionatit dhe vendin e dytë.

Teuta pas 3 pikëve në Korçë javën e shkuar, synon pikët e plota edhe ndaj Partizanit për të mos lëkundur pozitat në vendin  e tretë. Ja çiftet që luajnë sot në Kategorinë e Superiore:

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 34

SOT, ORA 16:30

Teuta-Partizani

Kukësi-Skënderbeu

Flamurtari-Laçi

Tirana-Kastrioti