Strakosha rikthehet mes shtyllave, titullar në finalen e Kupës së Italisë

Lajme të mira për skuadrën e Lacios në prag të takimit të nesërm final të Kupës së Italisë përballë Atalantës. Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Tomas Strakosha ka hedhur pas krahëve dëmtimin në tendinin e Akilit, teksa në sfidën finale do të marrë vendin e titullarit.

24-vjeçari e pati të pamundur të aktivizohej në ndeshjen e kaluar në kampionat, megjithatë në një sfidë të rëndësishme dhe me Kupën e Italisë që është objektiv i Lacios portieri nuk mund të mungonte.

Strakosha këtë sezon ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishme për klubin kryeqytetas, ndërsa ka një meritë të madhe për mbërritjen e bardhekaltërve në finale, pasi në çerekfinale u tregua vendimtar në lotarinë e 11 metërshave përballë Interit, ndërsa në gjysmëfinale mbrojti të paprekur portën në dy përballjet ndaj Milanit. Ndërkohë, për Strakoshën do të jetë një përballje e veçantë teksa pjesë e Atalantës janë dy shqiptarët, Gjimshiti dhe Berisha.

/EgiCabeli-VipSport.al/