Strakosha nuk ka asgjë të sigurt në merkato, Lacio gjen portier të ri

Tomas Strakosha ka mbyllur një sezon fantastik në Itali me Lacion në aspektin personal duke qenë se i vetmi që arriti ta ndalte për të mos luajtur, ishte dëmtimi i pësuar në tendinën e Akilit. Nga ai dëmtim dhe sidomos pas finales së Kupës ku luajti i dëmtuar i ka rezultuar fatal Strakoshës pasi do të mungojë në ndeshjet e Kombëtares.

Vera pritet që të jetë e nxehtë për Strakoshën dhe këtë e konfirmon prestigjiozja italiane “Corriere Dello Sport” e cila raporton se ka kërkesa të shumta për portierin shqiptar por nuk jep një destinacion si përfundimtar. Sakaq, Lacio ka nisur nga puna për të qenë gati për çdo të papritur dhe ka gjetur edhe pasuesin e tij.

Lacio ka hedhur sytë nga talenti i Fiorentinës, i cili po kalon një moment mjaft të mirë te violët dhe është titullar i padiskutueshëm. Lafont mund të largohet nëse në Firence mbërrin Dragovski që aktivizohet me Empolin por kartonin e të cilit e ka Fiorentina. /Erjon Allaraj-VipSport.al/