Stërvitja e parë e trajnerit Edi Reja, ushtrimet filmohen me dron

Kombëtarja ka nisur përgatitjet në Durrës, në drejtimin e trajnerit Edi Reja, i cili ka nisur punën me dy lista, ku në të parën bëjnë pjesë 10 lojtarë të Kombëtares A dhe në tjetrën 12 lojtarë të ekipit Shpresa.

Fillimisht, lojtarët kanë bërë ushtrime me topin, ku stafi ka kërkuar që të veprohet sa më shpejt. Trajneri Reja i ka vëzhguar lojtarët në distancë, ndërkohë që me grupin kanë punuar ndihmësit e tij, Ervin Bulku, Hamdi Salihi dhe Serxhio Porrini.

Ajo që ra në sy në këtë stërvitje të parë të trajnerit italian ishte filmimi i seancës me dron. Duke i parë lëvizjet e lojtarëve nga lart, trajneri do ta ketë më të qartë atë që bën secili gjatë ushtrimeve të ndryshme dhe do të krijojë një ide më të mirë për çdo lojtar. / Vipsport.al