Starova: Shumë futbollistë nuk e dhanë maksimumin, Flamurtari nuk kishte çfarë humbiste

Trajneri i Laçit, Sulejman Starova ka kritikuar skuadrën e tij pas humbjes që pësoi ndaj Flamurtarit në transfertë. Ai u shpreh se shumë futbollistë nuk dhanë maksimumin duke pranuar për ‘Supersport’ se në ndeshjet e mbetura, duhet marrë më e mira për të arritur Europën.

“Pësuam një gol të evitueshëm dhe na komplikoi. Kishim mundësi por një pjesë nuk dhanë maksimumin për cilësinë dhe shpirtin e garës që kanë. Ishte një ndeshje që e kishim përgatitur për të dhënë maksimumin ndaj një skuadre të mobilizuar por nuk arritëm.

Rastet i kishim si Berisha që donte të driblonte. Flamurtari u mbrojt me shumë forca dhe duhej një alternim me kombinacione dhe luftë në ajër. Nuk ishim si në ndeshjet e tjera në transfertë dhe më erdhi keq por kemi edhe dy ndeshje dhe duhet të marrim pikët tona.

Ndeshjet në transferta dhe Europa? Pa llogaritur problemet e tjerëve, ne kishim mundësi ndaj Partizanit dhe humbëm 3 pikët në fund. Skuadra ka luajtur mirë me mundësitë që ka pasur dhe më pas skuadra humbi terren. Nëse do kishim pikët me Kukësin e Partizanin do ishim tjetër. Kemi qenë aty-aty me Teutën, Skënderbeun e Flamurtarin por kemi qenë edhe të pafat.

Skuadra ka qenë e vetëdijshme dhe Flamurtari jo më kot kishte lojtarët më të mirë dhe pa presion. Skuadra nuk kishte se çfarë humbiste kurse ne kishim finale të parakohshme. Kur ke një kundërshtar që ka lojtarë të mirë, duhet mobilizim vetëm për ambicie vendi”, tha Starova. /VipSport.al/