Starova: Pësuam tre gola se deshëm të fitonim, mund të ishim më lart në klasifikim

Trajneri i Laçit, Sulejman Starova, mendon se dëshira për të fituar medoemos ndaj Tiranës kishte ndikuar negativisht te skuadra e tij. Në “Gol Pas Goli” ai argumentoi se ekipi kishte bërë më të mirën në këtë sfidë dhe përgëzoi Selmanin për atë që kishte shfaqur në këtë duel.

“Fakti që pësuam tre gola është se kërkuam fitoren me çdo kusht, filluam ndeshjen me mundësinë për të kaluar anën psikologjike, nga tensioni bëmë gabime. Selmani që është më i miri në Shqipëri në rolin e tij, na dha mundësinë që pas pritjes së penalltisë të krijonim rastin për gol. Kishim penalltinë për të kthyer në favor ndeshjen, përballë një skuadre që luante fort. Nga tensioni i fitores me çdo kusht bëmë gabime që nuk i kam parë ndonjëherë. Më pas bëmë përpjekje në pjesën e dytë, u munduam të nxirrnim gol. Tirana e menaxhoi mirë lojën dhe e mori fitoren.

Skuadra ishte agresive dhe e rrezikshme, ishin gabime që vinin nga tensioni, ne donim fitore patjetër por Tirana shfrytëzoi avantazhin që kishte me pikën që i bënte punë. I shkoi për shtat që bëri e para gol, humbëm shansin pas kryeveprës së Selmanit.

Festë për Partizanin? Ndoshta në ditët në vijim se sot kam mërzinë e kësaj ndeshje. Por do të kem kohë për t’i uruar.

Laçi jashtë grupit të Europës? Konkurrenca ka qenë e fortë, u rritën Skënderbeu e Teuta, por Laçi pat konkurrencë deri në fund. Ishim të pafat në veprime, në marrjen e lojtarëve në janar, se disa nuk arritën formacionin e do të ishte më ndryshe. Por me grupin që kishte dhe mbetën bëmë ndeshje shumë të mira dhe sigurisht që ishim të pafat se mund të ishim më lart në klasifikim”, tha Starova. /vipsport.al/