Specialist në ngjitjen e ekipeve, Nikaj kërkon dy ish-ët e Kombëtares për të fituar titullin

Samuel Nikaj është një trajner specialist që di të ngjisë ekipet nga Kategoria e Parë në elitë. Këtë sezon, pas tri viteve ai riktheu Vushtrrinë në elitën e futbollit kosovar, ndërsa nuk ka ndërmend që të largohet, por do të vazhdojë projektin me klubin. Këtë e thotë edhe në një prononcim për mediat kosovare. Nikaj, tashmë është një trajner me karrierë, pasi ka drejtuar disa skuadra si në Kategorinë e Parë, ashtu edhe në Superioren tonë, apo dhe në Kosovë vitet e fundit…

Karriera

“Më ka qëlluar që të marr ekipe të vështira. Mora Flamurtarin e Prishtinës, ishte në vendin e tetë, por me punë ne ja dolëm dhe u ngjitëm. Një vit më vonë, mora Kastriotin në Shqipëri, nga Kategoria e Parë, kishte shumë konkurrencë dhe u ngjitëm në Superligën shqiptare, ndonëse mund të binte në Kategorinë e Dytë një vit më parë! Këtë sezon me Vushtrrinë. Plus si rival kanë qenë dy nga trajnerët më të mirë në Kosovë, si: Ismet Munishi dhe Gani Sejdiu”.

Synimet

“Në zgjedhjet e mia bëjnë pjesë tradita dhe tifozeria. Unë e pashë në ndeshjen me Flamurtarin. Pastaj emrat e mëdhenj si: Rashica, hallku e shumë të tjerë. Kam menduar që për dy javë të festojmë dhe të jemi të qetë. Pas ndeshjes së fundit do të ulemi të flasim me drejtuesit. Duhet që të jemi të gjithë në union”, – tha ndër të tjera trajneri shkodran i Vushtrrisë së sapo ngjitur në elitën e futbollit kosovar.

Merkato

Në fund, Nikaj foli edhe për synimet që ka ai dhe klubi, por e krahason Vushtrrinë me Shkodrën: “Më ngjason me Shkodrën edhe Vushtrria sepse këtu e duan futbollin dhe bëjnë shumë pas skuadrës pasi janë shumë të lidhur me të. Kampionë edhe në Superligë?! Boll që të kthejmë Dallkun, Jonuzin dhe Mustafën nga Shqipëria dhe jemi kampionë të sigurt”, – tha ndër të tjera trajneri i Vushtrrisë, Shkodrani, Samuel Nikaj.

E.S./Vipsport.al/