Spaleti bën përsëri “të fortin”, përjashton nga stërvitja Zhoao Marion

Nuk ka qetësi te Interi, edhe pse skuadra është shumë pranë realizimit të objektivit të këtij sezoni, që ishte garantimi i pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve. Trajneri Luçiano Spaleti ka pasur përsëri probleme me një prej futbollistëve zikaltër, Zhoao Marion, të cilin e ka përjashtuar nga stërvitja e sotme.

Në seancën e paradites, trajnerit nuk i ka pëlqyer mënyra se si portugezi po kryente ushtrimet, ndërsa pretendon se nuk kishte dhënë maksimumin për të ndjekur udhëzimet e tij. Si rrjedhojë, mesfushorit i është komunikuar që të lërë stërvitjen dhe të paraqitet nesër me impenjimin e duhur, pasi sot i kishte munguar përkushtimi ndaj punës.

Sigurisht, një reagim i tillë ka tërhequr  vëmendjen, në një moment ku diskutohet gjerësisht nëse mënyra se si trajneri është sjellë me lojtarët ka penguar Interin që të bëjë hapin e rëndësishëm para që pritej në këtë sezon. Ndaj largimi i Spaletit duket gjithnjë e më i sigurt gjatë verës, pasi duket qartësisht nga ngjarja më e fundit se ai nuk arrin më të motivojë siç duhet futbollistët as në stërvitje. /vipsport.al/