Skënderbeu nuk ka fuqi t’ia dalë vetë, gjithmonë e më i varur nga Kukësi

Nëse Skënderbeut do t’i jepet e drejta nga KAS-i për të luajtur në Kupat e Europës, këtë verë me shumë mundësi do ta bënte pushim, nëse Kukësi nuk do t’i bënte një nder, ndoshta edhe dy. Skuadra korçare është gjithmonë e më e varur nga Kukësi për objektivin europian.

Të besuarit e Shehit dështuan në finalen me Teutën, ku humbën 1-2. Humbën shumë raste dhe arbitrimi nuk mund të shërbejë si justifikim. Sulmi i Skënderbeut nuk është aspak efikas, ndërkohë që prapavija gabon vazhdimisht, duke pësuar gola naivë. Në këto kushte, Skënderbeut i duhet që Kukësi t’i japë një dorë si në ndeshjen e radhës në kampionat, ashtu edhe duke fituar finalen e Kupës së Shqipërisë.

Korçarët ndeshen në transfertë me Kukësin, që nuk ka më asnjë objektiv në kampionat dhe nga ky fakt mund të përfitojnë për të marrë pikë. Më pas Skënderbeu ka ndeshjen me Luftëtarin në Korçë dhe tri pikët e Kamzës. Por nuk mjafton vetëm “nderi” në ndeshjen e kampionatit, sepse për ta bërë “tamam”, Kukësi duhet të fitojë edhe finalen e Kupës së Shqipërisë për të “ndihmuar” korçarët.

Teuta, Flamurtari dhe Laçi nga kampionati, si dhe Tirana nga Kupa, janë rivalët e Skënderbeut në garën për një vend në Ligën e Europës. Këtu ka të bëjë edhe çështja e licencimeve, që nuk është ende e qartë, si dhe vendimi i KAS-it. / Vipsport.al