Skënderbeu kërkon vendin e tretë pas zhgënjimit në Kupë, Teuta është “finalja” e madhe  

Skënderbeu dështoi në dy objektiva të këtij sezoni: në mbrojtjen e titullit kampion dhe të Kupës së Shqipërisë. Tani, katër javë para fundit të kampionatit, i ka mbetur vetëm një objektiv, të kapë vendin e tretë në kampionat dhe të shpresojë për një vendim pozitiv të KAS-it, për të shkuar në Europë.

Korçarët janë dy pikë larg vendit të tretë dhe kanë një kalendar të favorshëm. “Finalja” për ta është ndeshja e radhës me Teutën në shtëpi, që duhet fituar me çdo kusht, më pas është transferta me Kukësin, që mendohet se do të ketë dalë nga objektivat në kampionat, ndeshja me Luftëtarin në Korçë dhe trepikëshi në tavolinë me Kamzën. Shanset janë për vendin e tretë, por gjithçka varet nga ajo çfarë do të japë ekipi në fushë.

Trajneri Orges Shehi, për ndeshjen e së dielës me Teutën, pritet të ketë në dispozicion Vangjelin dhe Muzakën, që munguan ndaj Kukësit në Kupë. Dëmtim më serioz është dukur ai i sulmuesit Oto Xhon, që mund të mungojë ndaj Teutës. Në kampin e Skënderbeut të gjithë shprehen se beteja e madhe është ajo në KAS, por nëse vendimi është pozitiv dhe ekipi nuk arrin të sigurojë një vend për në Kupat e Europës, do të ishte vërtet një zhgënjim i madh. Vendi i tretë do të ishte një ngushëllim për korçarët në këtë kampionat me shumë oshilacione. / Vipsport.al