S’ka pushime për Kukësin, nisin përgatitjet në fushën e skuadrës së Kategorisë së Parë për finalen me Tiranën

Kukësi edhe pse ka luajtur ditën e  enjte ndeshjen e fundit për Superioren duke mundur me rezultatin 3-1 skuadrën e Kastriotit që zyrtarisht ka rënë në Kategorinë e Parë, sot ka dalë menjëherë në fushën e stërvitjes. Trajneri Ernest Gjoka dhe skuadra e tij kanë nisur që të përqendrohen te finalja e Kupës së Shqipërisë me Tiranën, një ndeshje që vlen sa për një sezon për verilindorët.

E veçanta është se skuadra është grumbulluar në qytetin e Elbasanit, aty ku të dielën do të luajë edhe finalen, ndërsa përgatitjet ditën e sotme janë zhvilluar në stadiumin “Nexhip Trungu” të qytetit të Cërrikut.

Vetë presidenti Safet Gjici e ka kërkuar me patjetër fitimin e Kupës së Shqipërisë duke qenë se skuadra dështoi në fitimin e titullit kampion të Superiores.

E.S./Vipsport.al/