Shtubina e pranon: Ndeshje vendimtare me Tiranën, një skuadër do digjet

Laçi-Tirana është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Kurbinasit kërkojnë Europën, kurse bardheblutë qëndrimin në Superiore.

Ndriçim Shtubina, një nga futbollistët me më shumë përvojë në radhët e Laçit, është shprehur në një prononcim për “RTSH Sport” se ndeshja me Tiranën është vendimtare dhe se njëra palë do të digjet.

“Laçi nuk ka pasur një ecuri të mirë në ndeshjet e fundit, por futbolli i ka këto. Kanë ndikuar disa gjëra të vogla, sepse grupin Laçi e ka. Tirana? Ndeshje e rëndësishme, vendimtare për të dyja skuadrat, ku njëra do të digjet. Presion mund të ketë, por futbolli kërkon përkushtim maksimal”, – ka theksuar futbollisti shkodran, i cili është aktivizuar në shumë pozicione në formacionin e ekipit kurbinas. Laçi kërkon “hakmarrjen” ndaj Tiranës, që e eliminoi nga Kupa e Shqipërisë. / Vipsport.al