Shkoi të mbështeste djalin e tij, tifozët e Portos sulmojnë trajnerin e tyre

Rivaliteti mes skuadrave dhe tifozerive në Portugali, kalon çdo limit dhe këtë radhë ka qenë trajneri i Portos, Serxho Konseiçao ai i cili ka rënë pre e dhunës fizike. Në ndeshjen e të rinjve mes Portos dhe Benfikës, Konseiçao ka qenë i pranishëm në stadium për të ndjekur nga afër këtë takim, por duke mbështetur të rinjtë e Benfikës dhe jo Porton që drejton.

Shkak për këtë është bërë djali i tij i cili luan me fanellën e Benfikës dhe natyrisht, këtë radhë trajneri i Portos kishte shkuar në stadium vetëm si babai i futbollistit që aktivizohet me Benfikën megjithatë tifozët e Portos nuk e kanë pëlqyer këtë gjë. Gjithçka ka dalë nga kontrolli kur djali i trajnerit ka shënuar dhe është nisur në drejtim të tribunës për të festuar me babanë e tij.

Këtu kanë nisur vërshëllimat e para për festën e trajnerit ku kanë vazhduar edhe gjatë ndeshjes, duke sharë futbollistin gjë e cila ka irrituar jo pak babanë e tij. Këtu ka nisur një konfrontim fizik mes tifozëve dhe trajnerit ndërkohë që stjuartët janë detyruar të largojnë trajnerin nga tribuna në mënyrë që të mos ketë të tjera incidente. /Erjon Allaraj-VipSport.al/