Shkëmbi: Sulmi duhet të bëjë më shumë pasi jemi për Europë, Skënderbeu është i konsoliduar

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi ka folur sot para ndeshjes me Skënderbeun duke u shprehur se skuadra e tij është në garë për Kupat e Europës. Në një prononcim për “RTSH Sport”, ai tha se skuadra e tij ka pasur probleme në javët e fundit, duke fajësuar 3 repartet nga të cilët ka kërkuar më shumë.

“Ndeshje e rëndësishme pasi kemi pak por e radhës është më e rëndësishmja. Jemi përgatitur mirë dhe duhet të mundohemi të bëjmë maksimumin për të fituar dhe të japim atë që jemi stërvitur e duhet edhe pak fat.

Duhet të jesh i freskët për  të arritur objektivin, por ka raste që sa më shumë ndeshje luan, aq më shumë në formë je. Jemi afër fundit dhe duhet të jemi të qetë pasi jemi në garë pavarësisht rezultateve jo të mira. Kemi mundësi për të arritur në Kupat e Europës.

Ne në disa ndeshje kemi pasur probleme si ekipe tre reparte. Sulmi duhet të japë më shumë duke mos lënë mënjanë fatin për t’u çliruar dhe për të dhënë qetësi. Ai që shënon ka qetësi më shumë.

Skënderbeu ka një grup me eksperiencë që bëjnë mirë por ka edhe të rinj që kanë qenë afër dhe janë të konsoliduar. Janë ekip i fortë dhe i mirë për të arritur rezultate”, tha Shkëmbi. /VipSport.al/